Liverpooli dhe Chelsea përfunduan në barazim 1-1 në ndeshjen e javës së 36-të të Ligës Premier, e zhvilluar në “Anfield”.
Vendasit nisën furishëm ndeshjen, duke kaluar në epërsi që në minutën e 6-të. Pas një aksioni të ndërtuar nga Rio Ngumuoha, Ryan Gravenberch mori topin në skajin e zonës dhe e dërgoi saktë në këndin e djathtë të sipërm për 1-0.
Chelsea reagoi dhe krijoi raste të rrezikshme, me Marc Cucurellan që pati një mundësi të madhe në minutën e 28-të, por u ndal nga një pritje vendimtare e Giorgi Mamardashvilit. Barazimi erdhi në minutën e 35-të, kur Enzo Fernandez realizoi një goditje dënimi të shkëlqyer, me topin që përfundoi në rrjetë pas prekjeve në shtyllën e majtë për 1-1.
Në pjesën e dytë, Chelsea mendoi se kishte përmbysur rezultatin, por goli i Cole Palmer u anulua me ndërhyrjen e VAR-it për pozicion jashtë loje. Edhe Liverpooli pa një gol të anulohej për offside; Curtis Jones e dërgoi topin në rrjetë në minutën e 58-të, por u sinjalizua jashtë loje.
Në vazhdim, Liverpooli ishte shumë pranë golit të fitores. Dominik Szoboszlai goditi shtyllën e majtë me një goditje të fortë nga skaji i zonës, ndërsa Virgil Van Dijk tronditi traversën me kokë pas një goditjeje nga këndi në minutën e 79-të.
Pavarësisht presionit dhe rasteve të shumta, asnjëra skuadër nuk arriti të shënojë golin e dytë, duke u detyruar të ndajnë nga një pikë.
Liverpool mbetet në kuotën e 59 pikëve,kurse Chelsea del nga zona evropiane duke tubuar 49 pikë.