Ish-kapiteni i Real Madrid dhe mbrojtësi spanjoll, Sergio Ramos, së bashku me fondin e tij të investimeve Five Eleven Capital, kanë arritur marrëveshje për blerjen e Sevilla FC.
Lajmi u bë i ditur nga gazetari Victor Fernandez pas një takimi të zhvilluar të martën në mëngjes. Sipas raportimeve, marrëveshja përfshin blerjen e 80 për qind të aksioneve të klubit për rreth 450 milionë euro.
Ramos synon që procesi i marrjes në pronësi të klubit të përfundojë sa më shpejt, në mënyrë që të marrë përsipër menaxhimin e Sevillas në një moment shumë delikat për klubin andaluzian.
Që të hënën në mbrëmje, gazetari Fernandez kishte raportuar për optimizmin e madh mes palëve të përfshira, duke paralajmëruar se marrëveshja përfundimtare ishte vetëm çështje orësh, gjë që tashmë është konfirmuar.
Shitja e klubit vjen në një periudhë të vështirë për Sevillan, e cila po lufton për mbijetesë në La Liga. Klubi beson se 40 pikët aktuale nuk janë të mjaftueshme për të garantuar qëndrimin në elitën e futbollit spanjoll dhe se skuadrës i duhet edhe të paktën një fitore për të siguruar mbijetesën.
Me tri xhiro të mbetura deri në fund të sezonit, diferenca mes vendit të shtatë dhe vendit të tetëmbëdhjetë në tabelë është vetëm nëntë pikë, duke e bërë garën jashtëzakonisht të ngushtë.
Sevilla FC do ta ketë mundësinë e parë për të bërë një hap të madh drejt mbijetesës këtë fundjavë në përballjen ndaj Villarreal CF.