Wednesday, 13. May 2026
Sport

Trofeu i parë i vitit/ Dinamo dhe Egnatia, sot në fushë për finalen e Kupës së Shqipërisë

GS 13/05/2026 2 Min. Lesezeit

Futbolli shqiptar jep sot në mbrëmje trofeun e parë të vitit 2026, Kupën e Shqipërisë. Në tapetin e stadiumit “Air Albania” zbresin Dinamo dhe Egnatia, dy skuadrat finaliste të sezonit të kaluar, kur fitues me penallti dolën blutë e kryeqytetit.

Ndeshja nis në orën 19:00 dhe premton spektakël e gola, siç kanë qenë vazhdimisht duelet mes këtyre dy skuadrave sezonet e fundit. Si Daja, ashtu edhe Dede, u rezervuan në ndeshjet e fundit të kampionatit, duke lënë pushim disa nga titullarët e skuadrave të tyre pikërisht me qëllimin për të dhënë më të mirën në finalen e sotme të Kupës.

Dinamo vjen në këtë finale se mbajtësja në fuqi e trofeut dhe do të tentojë të ruajë atë për të shpëtuar edhe sezonin në një farë mënyre. Trajneri Ilir Daja sot ka vetëm një mungesë të rëndësishme, atë të mbrojtësit portugez Andre Teixeira.

Egnatia pritet të luajë me formacionin më të mirë të saj. Rrogozhinasit kërkojnë “hakmarrjen” ndaj bluve, pasi përveç finales së vjetshme të Kupës, kanë humbur kundër tyre edhe në Superkupë dhjetorin e kaluar.

Këto dy skuadra do të ndeshen edhe në fazën “Final 4” të Abissnet Superiore, ku diskutohet titulli kampion.

Teilen: