Bayern Munich raportohet se ka arritur marrëveshje personale me yllin e Newcastle United F.C., Anthony Gordon, duke iu afruar një transferimi të mundshëm gjatë afatit kalimtar të verës.
Në javët e fundit, sulmuesi anësor anglez është lidhur vazhdimisht me një kalim në Allianz Arena, ndërsa tani kanë dalë raportime të reja që tregojnë përparim të rëndësishëm në negociata.
Sipas gazetarit britanik Ben Jacobs, Gordon ka pranuar kushtet personale të ofruara nga Bayern Munich, duke hapur rrugën për finalizimin e marrëveshjes.
Megjithatë, ende nuk ka marrëveshje mes dy klubeve sa i përket shumës së transferimit. Raportohet se negociatat ndërmjet Bayernit dhe Newcastle kanë nisur, por ekziston një diferencë e konsiderueshme në vlerësimin e lojtarit.
Sipas Jacobs, Newcastle kërkon të paktën 75 milionë funte, ose rreth 87 milionë euro, për kartonin e reprezentuesit anglez.
Pavarësisht kësaj, interesimi i madh i kampionëve të Bundesliga bën që të ketë optimizëm se marrëveshja mund të arrihet gjatë javëve të ardhshme.