EA Sports ka publikuar skuadrën më të mirë të sezonit për La Liga në lojën EA Sports FC 25, ndërsa pjesë e saj është edhe sulmuesi kosovar Vedat Muriqi.
Në formacionin e përzgjedhur nga platforma e njohur e lojës, në repartin ofensiv janë përfshirë Kylian Mbappe, Vedat Muriqi dhe talenti i FC Barcelona, Lamine Yamal.
Në mesfushë janë përzgjedhur Pedri, Aurelien Tchouameni dhe Federico Valverde.
Mbrojtja përbëhet nga Carlos Romero në të majtë, Eric Garcia në qendër dhe Marcos Llorente në të djathtë, ndërsa portieri i përzgjedhur është Joan Garcia.
Përfshirja e Muriqit në këtë listë konsiderohet një arritje e madhe për futbollin kosovar dhe tifozët shqiptarë, pasi sulmuesi i RCD Mallorca ka zhvilluar një sezon fantastik.
Sulmuesi kosovar ka realizuar 22 gola këtë sezon, duke regjistruar edicionin më të mirë të karrierës së tij deri më tani.
“Team of the Season” (TOTS) është një nga eventet më të ndjekura në komunitetin e EA Sports FC, pasi kartat speciale të lojtarëve marrin statistika të avancuara dhe janë ndër më të kërkuarat në modalitetin Ultimate Team.
