Thursday, 14. May 2026
Sport

Dede për “Super Gol”: Më vjen keq që një finale u mbyll në mënyrë të shëmtuar

GS 13/05/2026 2 Min. Lesezeit

Trajneri i Egnatias, Nevil Dede ka folur për emisionin “Super Gol” në RTSH, pas humbjes 3-2 përballë Dinamos në finalen e Kupës së Shqipërisë. Tekniku përgëzon lojtarët e tij për paraqitjen e tyre sidomos në pjesën e dytë, por ka pretendime ndaj arbitrit Jorgji, që mbylli ndeshjen më shpejt.

“Ky është futbolli, nuk varet çdo gjë vetëm nga ne. Pishman? Shumë mendime të vijnë në kokë dhe ajo që është më e rëndësishme… më vjen keq për pjesën e parë pavarësisht kartonit të kuq të Bakayokos, nuk e kam parë si pamje.

Më vjen keq si pësuam golat, duhet të ishim në ekuilibër dhe bllok të mesëm. Ishte shumë shpejtë për një ndryshim dhe për t’u vendosur. Në momentin që pashë se 4-4-1 nuk shkonte, mendova të shkoja me 3-4-1.

Mund të shpërbëheshim, por djemtë në pjesën e dytë, nuk kam asnjë pishman. Në disa situata mund të bënin më mirë. Ajo që nuk doja nga skuadra, mos të luanim me emocion. Gabimet erdhën prej emocioneve.

Në pjesën e dytë djemtë treguan se kush është kjo skuadër, dolën nga fusha dinjitozë. Më vjen keq që një finale u mbyll në mënyrë të shëmtuar me shumë diskutime dhe polemika, na hoqën të drejtën për të luajtur 2 apo 3 minuta. Të paktën duhet zbatuar rregullorja sipas çdo elementi. Nuk erdha i papërgatitur për këtë diskutim.

Ka filluar sqarimi i Ilir Dajës në minutën e 93-të, nuk është luajtur për 2 minuta, si mund të shtohen vetëm 40 sekonda. Nuk po flas për topat e hedhur në fushë, është epokë e lashtë në gjykimin tim. Prandaj mendoj se finalja u mbyll në mënyrë të shëmtuar”, ka thënë mes të tjerash Dede.

Teilen: