Javier Tebas iu kundërpërgjigj ashpër Florentino Pérezit, pas deklaratave të këtij të fundit mbi rolin e La Liga-s në çështjen “Negreira”. Tebas mohoi pretendimin se Real Madridi ishte klubi i parë që u përfshi në proces, duke theksuar se La Liga dhe arbitri Estrada kishin vepruar më herët.
Ai sulmoi personalisht Pérez: “Të martën u pa Florentino i vërtetë…, ndoshta me ndonjë pilulë për të gënjyer më mirë”. Sipas Tebas, rasti “Negreira” po përdoret për të fshehur gabime të tjera, duke kujtuar se Reali nuk reagoi kur Barcelona ishte pjesë e projektit të Superligës Europiane.
Tebas hodhi poshtë edhe akuzat se La Liga financoi “Relevo” kundër Realit: “Jo vetëm që nuk e financuam, por La Liga përfitoi të ardhura”. Ai shtoi se auditimet e CSD nuk gjetën “asnjë financim të fshehtë dhe asnjë operacion kundër Real Madridit”.
Javier Tebas shtoi: “Është e trishtueshme që një njeri si Florentino, me gjithë prestigjin e tij të biznesit dhe gjithçka që ka bërë për Real Madridin, duhet të dalë dhe të GËNJEJË, t’i thotë këto gjëra. Të gjithë e dinë që jam tifoz i Real Madridit, edhe pse po bëj një pushim tani. Më vjen keq për Real Madridin sepse nuk mund të vazhdosh të THUASH GËNJESHTRA gjatë gjithë kohës”.