Kosova po përgatitet të presë garën ndërkombëtare të paraglajdingut “Kastrioti Open”, e cila këtë vit do të mbledhë pilotë nga 28 shtete të botës. Ky event prestigjioz jo vetëm që dëshmon rritjen e sportit në vend, por shërben edhe si një test madhor për ambiciet e Kosovës për të organizuar një Kampionat Botëror apo Evropian
Kosova po përgatitet të presë garën ndërkombëtare të paraglajdingut “Kastrioti Open”, e cila këtë vit do të mbledhë pilotë nga 28 shtete të botës. Ky event prestigjioz jo vetëm që dëshmon rritjen e sportit në vend, por shërben edhe si një test madhor për ambiciet e Kosovës për të organizuar një Kampionat Botëror apo Evropian
Në një konferencë për media të mbajtur nga Klubi i Fluturimeve “Shqiponjat e Kastriotit” dhe Federata Aeronautike e Kosovës, u zbuluan detajet e edicionit të nëntë të “Kastrioti Open”, i cili zyrtarisht fillon nesër. Kjo garë është pjesë e serisë së tretë të Kampionatit të 15-të Kombëtar Shqiptar, një bashkëpunim i suksesshëm 15-vjeçar mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Avni Kuçi, kryetar i Federatës Aeronautike, vuri në pah suksesin e jashtëzakonshëm të pilotëve kosovarë, të cilët kanë arritur të renditen si kombëtarja e dytë më e mirë në botë, një arritje e pabesueshme duke marrë parasysh sfidat dhe historinë e re të këtij sporti në vend.
“Shqipëria dhe Kosova e kemi kampionatin e 15-të jubilar i bie, kampionatin e 15-të kombëtar shqiptar. Domethënë, dy shtetet që 15 vite me radhë garojmë për një kampion kombëtar i Shqipërisë dhe i Kosovës, pavarësisht pse ne garojmë edhe në shtetet respektive për kampionatet e brendshme, mirëpo të përbashkët e kemi edhe kampionatin kombëtar shqiptar. Dhe njëra prej serive të cilat tash do të ndodhë prej 15 deri më 17 kur është ceremonia mbyllëse, është Kastrioti Open 2026. Është seria e tretë. Seria e parë ka qenë në Berat, është kompletuar dhe ka është përfunduar. E dyta ka qenë në Vlorë po ashtu seri e kampionatit kombëtar shqiptar, ndërsa e treta tani është në Obiliq, Kastrioti Open”, bëri të ditur Kuqi.
Dimensioni ndërkombëtar i këtij eventi u theksua me praninë e Andy Coëley, drejtorit të garës nga Mbretëria e Bashkuar dhe zyrtar i lartë në komisionin ndërkombëtar për paraglajding. Roli i tij nuk është vetëm të menaxhojë garën, por edhe të vlerësojë kapacitetet organizative të Kosovës për evenimente të kategorisë më të lartë.
Cowley: Kosova mund të jetë organizatore e një kampionati evropian
“Duke qenë pjesë e organizimit, unë mund të jap komente. Natyrisht, tani që jam drejtor i garës, do të them se gjithçka është absolutisht brilante, por nëse ata dëshirojnë të organizojnë një garë evropiane, duhet të paraqesin atë që quhet një kandidaturë zyrtare pranë organizatës botërore për të drejtuar një garë të tillë. Ata duhet të dëshmojnë, përmes njerëzve të përfshirë, se janë të kualifikuar, të certifikuar dhe të aftë. Fillimisht do të konkurrojnë për organizimin e një Kampionati Evropian dhe më pas plenumi do të vlerësojë nëse ata mund ta fitojnë të drejtën për organizimin e atij Kampionati Evropian”, u shpreh Coëley.
Fanar Shala, organizatori kryesor, foli për rrugëtimin e garës dhe ndryshimin e percepsionit për Kosovën.
“Vite më parë kur ne kemi ftuar disa pilotë të huaj, ata kanë pasur hezitim me qenë pjesë e jona në Kosovë, për arsye politike që ne veç i dimë. Edhe vitin e kaluar kemi pasur një numër më të vogël të pilotëve, për arsye se kanë ardhur veç nga një person prej shteteve të ndryshme. Dhe tash, vërejta një detaj shumë të madh e pata te pjesa e një romuni që e kemi pjesë të garës. Do të thotë kemi edhe pjesë të tjera, por romuni po ma tregon një mesazh në telefonin e tij edhe atij i kishte ardhur prej Rumanisë edhe në të shkruan që kujdes se je në një vend të rrezikshëm. Po pate ndonjë problem, e ke ambasadën e Rumanisë në Kosovë dhe mund të drejtohesh atje. Edhe unë duke qenë kureshtar, po i bëj pyetje, thashë ti qysh po mendon për këtë? Kjo është çmenduri, çka thonë ata. Tha, unë jam duke kaluar shumë mirë dhe është perfekt ky vendi këtu. E mira është që ne kemi dhënë maksimumin tonë për me e prezantuar vendin tonë sikur me organizimet tona e po ashtu edhe me sukseset tona”, bëri të ditur Shala.
Në garën “Kastrioti Open” do të marrin pjesë edhe gjyqtarë të njohur të nivelit ndërkombëtar.
Federata gjithashtu po punon për të siguruar të ardhmen e sportit përmes Akademisë së Aviacionit “Artan Venhari”, e cila ofron trajnime dhe licencime për pilotët e rinj, si dhe fluturime në tandem për amatorët dhe të apasionuarit pas adrenalinës.
Me plane për gara të reja, përfshirë një event të planifikuar në Liqenin e Ujmanit, e ardhmja e fluturimeve të lira në Kosovë duket më e ndritur se kurrë, duke premtuar jo vetëm suksese sportive, por edhe një promovim të fuqishëm të imazhit të vendit në arenën ndërkombëtare.