Problemet e Milan-it janë më të mëdha sa ç’duken në fushë. Pikërisht në momentin kur “djalli” ka nevojë për më shumë qetësi ka nisur një fortunë e re. Ditën e djeshme “Corriere della Sera” ka publikuar një shkrim ku sipas të cilit Ibrahimoviç është gati për të marrë frenat e ekipit në dorë. Në atë artikull thuhet se suedezi pritet që të largojë të gjithë hallkat drejtuese duke nisur nga Furlani, vazhduar me Taren dhe përfunduar me Allegri-n.
Sipas gazetës italiane konflikti mes Allegri-t dhe Ibrës ka nisur për emrin e portierit të tretë të skuadrës për sezonin që vjen. Sipas artikullit, i cili nuk është përgënjeshtruar prej askujt në shoqërinë kuqezi, emri i portierit të tretë është vetëm një motiv për të zbuluar konfliktin, i cili ekziston prej kohësh. Ibra thuhet se u ka telefonuar Fofana-s dhe Leao-s duke u dhënë udhëzime taktike. Madje thuhet se disa lojtarëve u ka thënë të mos ndjekin më trajnerin. Edhe ky një tjetër detaj, i cili nuk është përgënjeshtruar.
Raporti i vështirë mes Allegri-t dhe Ibra-s ka zanafinallë shumë vite më parë, në 2012-ën. Pas një ndeshjeje Champion-si të humbur keq nga “Djalli”, Allegri, i qeshur, është qortuar nga suedezi, i cili ka rrëfyer vetë historinë në një podcast. “Kishim humbur 3-0 përballë Arsenal, por Allegri ishte i lumtur. Kishim siguruar kualifikimin, por nuk kishte asgjë për të qeshur apo festuar. Këtë fakt ia thash edhe trajnerit. Ai mu përgjigj: ‘Ibra shiko punën tënde, se sot ishte një m..’, dhe unë iu përgjigja se m… ishte ai. Ishte aq frikacak sa kishte marrë në stol dy portierë”, tha Ibra në podcast.