Ish-sulmuesi i Interit, Ivan Zamorano, lavdëroi skuadrën zikaltër pas fitimit të dopietës sezonale (Serie A dhe Kupën e Italisë). Në intervistën për “Gazzetta dello Sport”, ai deklaroi: “Interi im fitoi më pak nga sa meritonte. Kupa UEFA e vitit 1998 mbetet e paharrueshme, por edhe kjo kupë është e bukur për t’u festuar, sepse i shtohet titullit kampion. Në këtë moment historik, Interi dominon pa probleme dhe jam i bindur se do të vazhdojë kështu”.
Për trajnerin Chivu u shpreh: “Cristian është bir i Interit dhe kjo duket. Të fitosh dopietën në vitin e parë nuk ndodh shpesh. Ai e di çfarë nevojitet në ‘Appiano’ për të arritur rezultate të mëdha”.
Më pas veçoi mesfushën zikaltër: “Dy lojtarë si Nicolò Barella dhe Hakan Çalhanoğlu nuk i gjen askund”. Në sulm vlerësoi dyshen Marcus Thuram dhe Lautaro Martínez: “Përfaqësojnë gjithçka që kërkohet nga një repart ofensiv. Lideri mbetet Lautaro, i cili sipas meje është trashëgimtari i Zanettit”.