Shqipëria do të jetë mikpritëse e finaleve të Kampionatit Europian U-21 në vitin 2027, një prej eventeve më prestigjioze të futbollit europian pas Kampionatit Europian për ekipet A.
Në kuadër të përgatitjeve për organizimin e këtij kompeticioni madhor, stadiumi “Air Albania” do t’i nënshtrohet një projekti të rëndësishëm infrastrukturor, që përfshin ndërhyrje në bazamentin e fushës dhe zëvendësimin e tapetit aktual, me synimin për të përmbushur standardet më të larta të kërkuara nga UEFA për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare dhe finaleve të UEFA U-21 EURO 2027.
Ndërkohë, për fazën e dytë të projektit, që lidhet me furnizimin dhe instalimin e tapetit me bar hibrid, Komiteti Ekzekutiv miratoi kompaninë “Hatko Sports International L.L.C – FZ”, një emër me eksperiencë ndërkombëtare në realizimin e fushave sportive sipas standardeve të UEFA-s dhe FIFA-s.