Tuesday, 19. May 2026
Sport

Interi me sytë te finalja e Europa League, në shënjestër penalltipritësi Atubolu

GS 19/05/2026 2 Min. Lesezeit

Me Frajburgun e tij duhet të përballojë Aston Villa-n favorite, më pas duhet të vendosë në lidhje me të ardhmen.

Mes skuadrës së vendit të 4-t të Premier League dhe asaj të vendit të 7-e në Bundesligë, në letër nuk duhet të ketë ndeshje. Megjithatë, është një finale dhe këtu ndryshon gjithçka. Fjala është për aktin përmbyllës të Europa League, që luhet më 20 maj në Stamboll, mes Aston Villa dhe Frajburg.

Portën e skuadrës gjermane e mbron Noah Atubolu, i cili nuk ka frikë nga asgjë dhe shquhet për pritjen e penalltive. Luan titullar në Bundesligë që në fillim të sezonit 2023-24, kur mori vendin e Mark Flekken. Atubolu ndiqet nga disa klube, mes tyre edhe Interi. Finalja mund të jetë provë e mirë pjekurie, që do të ndihmojë Marotta-n dhe Ausilio-n të kuptojnë, nëse ia vlen vërtet të shpenzojnë 20 milionë eurot që kërkon klubi gjerman aktualisht.

Atubolu ka lindur në Frajburg, më 25 maj 2002, me baba nigerian dhe nënë gjermane, por edhe ajo me origjinë nigeriane. Në hapat e parë në futboll ka bërë qendërmbrojtësin. Në moshën 13-vjeçare kaloi te të rinjtë e Frajburgut, ku dikush pati idenë ta fuste në portë.

Është një portier i vendosur, me kurajë e reflekse. Ka luajtur edhe me kombëtaret e moshave të Gjermanisë, nga U-17 deri tek U-21. Thonë që i ngjan Nojerit për daljet dhe teknikën. Luan mirë me këmbë dhe merr pjesë në ndërtimin e lojës nga mbrojtja, siç dëshiron trajneri i tij, Julian Schuster.

Por specialiteti i tij janë penalltitë. Atubolu është portieri i parë që ka pritur 5 penallti radhazi. Sezonin 2024-25 vendosi rekordin e pathyeshmërisë me Frajburgu, me 609 minuta pa pësuar gol.

Tani Noah Atubolu mund të fitojë trofeun e parë ndërkombëtar në karrierë dhe ka një përgjegjësi të madhe mbi shpatulla. Pastaj duhet të vendosë për të ardhmen, pasi klubi kërkon të përfitojë, duke e shitur para se të përfundojë kontratën. Për të interesohet Interi dhe disa klube të tjera.

Teilen: