Wednesday, 20. May 2026
Sport

KB Trepça kërkon titullin, Bashkimi ndeshjen e pestë

GS 20/05/2026 2 Min. Lesezeit

Sezonit shumë të gjatë në basketbollin kosovar, mund ti vije fund sot në mbrëmje ku luhet ndeshja e katërt finale e “play-offit”.

Pas tri ndeshjeve të luajtura në këtë seri finale, Trepça po avancon 3:0 ndaj Bashkimit dhe ekipit nga Mitrovica i duhet vetëm edhe një fitore për t’u shpallur kampione.

Ndeshja e katërt, luhet sot prej orës 19:30 në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren dhe pritet të jetë interesante pasi të dyja skuadrat synojnë fitoren.

Bashkimi kërkon fitoren e parë në këtë finale për të zbutur epërsinë në 3:1 dhe për të siguruar ndeshjen e pestë, ndërsa Trepça synon të festojë në Prizren për titullin e tretë rresht.

Në fakt, Trepça ka dominuar tërësisht në basketbollin kosovar vitet e fundit, ndërsa Bashkimi këtë edicion ishte rivali më i madh i ekipit nga Mitrovica.

Megjithatë, Trepça është në seri 7:0 ndaj Bashkimit, përfshirë këtu edhe finalen e Kupës së Kosovës, të cilën e ka fituar ekipi i trajnerit Adis Beçiragiq.

Trepça e Bashkimi, u kualifikuan direkt në gjysmëfinale të “play-offit” pasi stinorin e rregullt në Superligë e përfunduan në dy pozitat e para.

Trepça në gjysmëfinale eliminoi Pejën me rezultatin e përgjithshëm 3:1, ndërsa Bashkimi ishte më i mirë se Bora, ekip që eliminoi me rezultat 3:2.

Teilen: