Sipas raportimeve të fundit të “Gazzetta dello Sport”, legjenda e Barcelonës dhe ish-trajneri i saj Ronald Koeman ka dhënë një mesazh të qartë për të ardhmen e sulmit blaugrana. Pas Lewandowskit, klubi katalanas duhet të synojë Erling Haaland si pasuesin ideal. Në një moment kur e ardhmja e sulmuesit polak në “Camp Nou” po i afrohet fundit dhe Barcelona po përgatitet për një fazë të re rindërtimi, debati për zëvendësuesin e tij është ndezur fuqishëm në Spanjë.
Lewandowski, i ardhur më 2022 nga Bayern Munich, ka qenë pikë referimi për Barcelonën, duke shënuar gola vendimtarë dhe ndihmuar klubin të fitojë trofe në La Liga, por mosha dhe kontrata e tij që po shkon drejt fundit kanë hapur diskutimet për trashëgiminë e sulmit blaugrana. Emri i Erling Haaland prej kohësh është lidhur me Barcelonën, si një nga sulmuesit më dominues në botë, me statistika të jashtëzakonshme golash te Manchester City dhe më parë Borussia Dortmund.
Largimi i Guardiolës nga “Etihad” mund ta shtyjë bomberin norvegjez të bëjë të njëjtën gjë, edhe pse ka kontratë. Edhe brenda strukturës sportive të klubit katalanas, ideja e një “9-shi” të ri elitar është diskutuar prej kohësh, me Haaland që shihet si profili ideal për të udhëhequr epokën e ardhshme të Barcelonës. Në këtë kontekst, deklarata e Koeman ka shtuar edhe më shumë zhurmë rreth të ardhmes së sulmit blaugrana. Sinjal i qartë se në “Camp Nou” po mendohet seriozisht për një revolucion, pas Lewandowskit.