Mesfushori i Manchester United FC, Bruno Fernandes, është shpallur “Lojtari i Sezonit” në Premier League pas paraqitjeve mbresëlënëse gjatë këtij edicioni.
Reprezentuesi portugez ka qenë një nga figurat kryesore të Manchester Unitedit këtë sezon, duke ndihmuar skuadrën të sigurojë vendin e tretë në tabelë dhe kualifikimin në UEFA Champions League për sezonin e ardhshëm.
Fernandes ka zhvilluar 34 ndeshje në kampionat, duke realizuar tetë gola dhe duke qenë organizatori kryesor i lojës sulmuese të skuadrës nga mesfusha.
Njëkohësisht, ai ka arritur edhe një sukses të rëndësishëm individual, pasi ka barazuar rekordin e Ligës Premier për më së shumti asistime në një sezon të vetëm. Portugezi ka regjistruar 20 asistime, duke u barazuar me Kevin De Bruyne dhe Thierry Henry.
Me një ndeshje të mbetur ndaj Brighton & Hove Albion FC, Fernandes ka mundësinë të vendosë një rekord të ri dhe ta mbyllë sezonin si asistuesi më i mirë i kampionatit.
Portugezi triumfoi në një garë të fortë për këtë çmim, ku në mesin e kandidatëve ishin edhe Gabriel Magalhães, David Raya, Declan Rice, Erling Haaland, Antoine Semenyo, Igor Thiago dhe Morgan Gibbs-White.