Në fund të ndeshjes, Luka Modric shikonte “Curva Sud” pothuajse i habitur. Në dorë mbante maskën me të cilën u rikthye të luante në kohë rekord, pas frakturës në mollëz, e pësuar kundër Juventusit më pak se një muaj më parë. As klasi i kroatit nuk mjaftoi për Milanin. Pas fitores me Genoa, sfida ndaj Cagliarit duhej të ishte festa e madhe, por u kthye në makth.
Me kualifikimin në Champions League, Modric kishte dhënë sinjale se dëshironte të qëndronte edhe një sezon në Milano për “vallen e fundit” në kompeticionin që e ka fituar 6 herë. Tani gjithçka është në dyshim. Kroati do të luajë në Botëror dhe në shtator mbush 41 vjeç. Kontrata parashikon edhe një vit, por vendimin final do ta marrë vetë Luka. Situata komplikohet edhe më shumë nga e ardhmja e pasigurt e Allegrit, me të cilin kishte krijuar menjëherë raport të shkëlqyer.
Modric nuk është i vetmi besnik i Allegrit, që mund të largohet. Adrien Rabiot erdhi te Milani pikërisht për t’u ribashkuar me trajnerin italian. Mesfushori francez, titullar te Franca, që synon Botërorin, mund të mos pranojë një tjetër sezon larg Champions-it dhe ndoshta pa Allegrin në stol. Pas humbjes, ai zhvilloi një bisedë të gjatë me trajnerin dhe Matteo Gabbian.
Në dyshim është edhe e ardhmja e Strahinja Pavlovic. Mbrojtësi serb, ndër lojtarët më të vlerësuar nga Allegri këtë sezon, kërkohet nga Manchester United, Galatasaray dhe Fenerbahçe. Në moshën 25-vjeçare dhe me pagë rreth 1.7 milionë euro, ai mbetet shumë tërheqës për klubet e mëdha.