Tuesday, 26. May 2026
Futboll

Barcelona vë në shënjestër Muriqin pas largimit të Lewandowskit

GS 26/05/2026 2 Min. Lesezeit

Barcelona ka nisur përgatitjet për një ndryshim të rëndësishëm në repartin ofensiv, teksa klubi katalanas po kërkon zëvendësuesin e Robert Lewandowskit. Në listën e opsioneve të mundshme ka përfunduar edhe sulmuesi kosovar Vedat Muriqi.

Futbollisti i Mallorcas po konsiderohet si një alternativë e papritur, por gjithnjë e më reale për skuadrën e drejtuar nga Hansi Flick, sidomos pas sezonit të tij të fortë individual në La Liga.

Muriqi zhvilloi një edicion mbresëlënës, duke shënuar 23 gola, edhe pse nuk arriti ta ndihmojë Mallorcan të mbijetojë në elitën e futbollit spanjoll. Pikërisht kjo formë ka tërhequr vëmendjen e Barcelonës, e cila kërkon një sulmues me eksperiencë, forcë fizike dhe efikasitet të menjëhershëm para portës.

Drejtori sportiv Deco raportohet se e vlerëson shumë profilin e sulmuesit kosovar, i cili është i njohur me La Ligan, dominon në duelet ajrore dhe ofron një dimension fizik që aktualisht i mungon repartit ofensiv të katalanasve.

Plani i Barcelonës nuk e sheh Muriqin si një projekt afatgjatë, por më shumë si një zgjidhje të shpejtë dhe funksionale për të mbushur boshllëkun e lënë nga Lewandowski.

Rënia e Mallorcas në Segunda Division mund të ndikojë ndjeshëm në negociata, pasi klubi spanjoll pritet të përballet me presion financiar dhe mund të detyrohet të shqyrtojë shitjen e lojtarëve kryesorë.

Barcelona, nga ana tjetër, raportohet se është e gatshme të ofrojë rreth 15 milionë euro për kartonin e Muriqit, një shifër e konsideruar e menaxhueshme për realitetin aktual financiar të klubit.

Vetë sulmuesi kosovar, sipas raportimeve, mund ta shohë pozitivisht një transferim në “Camp Nou”, pasi do t’i ofronte mundësinë të garojë për trofe dhe të luajë në nivelet më të larta të futbollit evropian.

Përveç Barcelonës, për Muriqin interesim ka edhe nga MLS, por opsioni katalanas mbetet më tërheqës në aspektin sportiv.

Në “Camp Nou” po shqyrtohet edhe mundësia e një kontrate dyvjeçare për sulmuesin, në një operacion që nuk do të kishte bujë të madhe mediatike, por që shihet si një lëvizje praktike dhe e zgjuar për të forcuar repartin ofensiv.

Teilen: