Klubi turk Trabzonspor po e shqyrton seriozisht mundësinë e transferimit të sulmuesit të Shqipërisë, Myrto Uzuni, në një lëvizje që mund të rikthejë interesimin e tyre për repartin ofensiv.
Sipas mediave turke, përfshirë “Habergo”, klubi nga Trabzoni po e ndjek nga afër situatën e 30-vjeçarit, i cili aktualisht është pjesë e skuadrës amerikane Austin FC në Major League Soccer.
Raportohet se paraqitjet e mira të Uzunit në këtë sezon kanë bërë që Trabzonspor të rikthejë vëmendjen ndaj tij, duke e konsideruar si një profil ideal për të forcuar sulmin në prag të sezonit të ri.
Sulmuesi shqiptar ka kontratë me klubin amerikan deri në fund të vitit të ardhshëm, çka nënkupton se çdo transferim i mundshëm do të kërkonte marrëveshje mes dy klubeve.
Po sipas të njëjtave burime, Trabzonspor kishte tentuar ta sillte Uzunin edhe gjatë afatit kalimtar të janarit, por marrëveshja nuk ishte finalizuar.
Myrto Uzuni u transferua te Austin FC vitin e kaluar nga Granada CF për rreth 12 milionë euro, duke u bërë një nga blerjet më të shtrenjta në historinë e klubit amerikan.
Ndërkohë, Trabzonspor në përbërje ka edhe sulmuesin shqiptar Ernest Muçi, i cili u transferua nga Beşiktaş.