Skuadra turke Trabzonspor po e shqyrton seriozisht mundësinë e transferimit të sulmuesit të Shqipërisë, Myrto Uzuni.
Mediumi turk “Habergo” ka raportuar të martën se klubi nga Trabzoni është duke e monitoruar nga afër situatën e 30-vjeçarit, i cili aktualisht aktivizohet në MLS te Austin.
Sipas raportimit, paraqitjet pozitive të Uzunit në këtë edicion me Austinin kanë bërë që Trabzonspor të rikthehet sërish në interesim për të, duke e parë si profil të përshtatshëm për forcimin e repartit ofensiv në sezonin e ardhshëm.
Uzuni ka kontratë me klubin amerikan deri në fund të vitit të ardhshëm, çka nënkupton se çdo transferim i mundshëm do të kërkonte marrëveshje mes dy klubeve.
Trabzonspor, sipas të njëjtit burim, kishte tentuar ta siguronte shërbimin e tij edhe gjatë afatit kalimtar të janarit, por marrëveshja nuk ishte finalizuar.
Sulmuesi shqiptar u transferua te Austin vitin e kaluar nga Granada për një shumë të raportuar prej 12 milionë eurosh, duke u bërë një nga blerjet më të shtrenjta të klubit amerikan.
Ndërkohë, Trabzonspor në skuadër aktualisht ka edhe Ernest Muçin, i cili është transferuar nga Besiktas.