Një sezon i mbyllur pa kualifikim në Champions dhe me humbje prej 70–80 milionë eurosh ka bërë që drejtori ekzekutiv i Juventusit, Damien Comolli, të pranojë përgjegjësinë. “Dhemb shumë mosarritja e vendit të katërt, është një dështim”, – tha ai, duke theksuar se skuadra duhet të përmirësohet në çdo nivel.
Ai njoftoi punë të nisura në skauting me Marco Ottolini dhe theksoi se Spalletti është plotësisht pjesë e projektit: “Nuk ka plane A apo B, vetëm një plan për ta rikthyer Juven në majë. Marrëdhënia me trajnerin është e mirë dhe pa tensione”.
Për Yildiz ishte i prerë: “Ai qëndron, është e ardhmja dhe e tashmja e Juventusit”. Në aspektin financiar, nuk parashikohet rikapitalizim. Algoritmet mbeten një mjet ndihmës, jo vendimmarrës absolut. Objektivi është rikthimi te fitoret, por ai nuk jep garanci për titullin, duke e quajtur “të komplikuar”.