Wednesday, 27. May 2026
Sport

Botërori 2027, vajza/ Grima publikon listën për sfidat vendimtare ndaj Çekisë dhe Malit të Zi

GS 27/05/2026 2 Min. Lesezeit

Shqipëria e futbollit të femrave do të zhvillojë në muajin qershor dy nga sfidat më të rëndësishme të këtij edicioni kualifikues të Kampionatit Botëror, ndaj Çekisë dhe Malit të Zi. Këto ndeshje që do të përcaktojnë fatin e skuadrës kuqezi në garën për një vend në fazën play-off.

Vajzat kuqezi do të nisin grumbullimin zyrtar këtë të premte në Shkodër, ndërsa trajneri Armir Grima ka publikuar listën e futbollisteve të ftuara për këto dy përballje vendimtare.

Në repartin e portës janë grumbulluar Antigoni Hyska, Rajmonda Spahiu dhe Klesjana Spaho, ndërsa në mbrojtje tekniku kuqezi ka përzgjedhur Rexhina Maxhalakun, Arbenita Currajn, Alma Hilajn, Armera Tukajn, Arbiona Bajraktarin, Leonora Dedgjonajn, Klea Hamonikajn, Aglia Iliadhin, Xhesika Ndojn dhe Gresa Berishën.

Në mesfushë rikthehen Vanesa Levenaj dhe Eriola Delia, teksa pjesë e listës janë gjithashtu Ezmiralda Franja, Megi Doçi, Ilarja Zarka, Mikaela Metalla dhe Mesuare Begallo.

Në repartin ofensiv rikthehet edhe Esi Lufo, ndërsa bashkë me Fortesa Berishën dhe Valentina Trokën do të udhëheqin sulmin kuqezi në këto sfida të rëndësishme.

Ndeshja e parë do të luhet më 5 qershor ndaj Çekisë në Pragë, në stadiumin “FK Viktoria Žižkov”, duke nisur nga ora 17:30. Takimi i fundit i këtyre kualifikueseve do të zhvillohet më 9 qershor në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, ku Shqipëria do të përballet me Malin e Zi në ora 19:00.

Teilen: