Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), të enjten ka konfirmuar dhe publikuar orarin e ndeshjes së barazhit të Ligës së Parë.
Në këtë ndeshje, do të përballen Dinamo dhe Liria, skuadra që kanë mbyllur sezonin në pozitën e tretë, përkatësisht të katërt në Ligën e Parë.
Dueli i barazhit të Ligës së Parë, zhvillohet të premten në stadiumin “18 Qershori” në Klinë, me fillim nga ora 16:00.
Të dyja skuadrat janë të motivuara për ta kaluar këtë pengesë, në mënyrë që të bëjnë një hap drejt promovimit në Superligë.
Në fakt, Dinamo dhe Liria, janë përballur në xhiron e fundit të këtij sezoni, ku ekipi nga Prizreni ka triumfuar në Ferizaj me rezultatin e thellë 5:1.
Si Liria ashtu edhe Dinamo e kanë mbyllur sezonin me nga 71 pikë të tubuara pas 34 xhirove të zhvilluara, ku ekipi nga Prizreni ka regjistruar 21 fitore, 8 barazime e 5 humbje kurse ai nga Ferizaj ka 22 fitore, 5 barazime e 7 humbje.
Skuadra e e fiton këtë ndeshje të barazhit në Ligën e Parë, do të paraqitet në barazhin e Superligës, duel ky që do të zhvillohet javën e ardhshme.
Aktualisht, pozitën e tetë në Superligë, e cila dërgon në barazh po e mbanë skuadra e Llapit edhe pse gjithçka do të definohet këtë vikend kur do të luhet xhiro e fundit e elitës së futbollit kosovar.