Thursday, 28. May 2026
Futboll

Fund i një epoke te Drita, futbollisti largohet pas gjashtë vitesh e gjysmë me mesazh emocionues

GS 28/05/2026 2 Min. Lesezeit

Pas gjashtë vitesh e gjysmë të mbushura me suksese, emocione dhe trofe, një prej futbollistëve më të rëndësishëm të FC Drita ka konfirmuar largimin nga klubi gjilanas përmes një mesazhi prekës në rrjetet sociale.

Futbollisti, i cili ishte pjesë e një prej periudhave më të arta në historinë e klubit, u përshëndet me klubin dhe tifozët duke e cilësuar Dritën si “shtëpinë” e tij dhe vendin ku ka përjetuar momentet më të bukura të karrierës.

Në mesazhin e tij emocional, ai theksoi krenarinë për kontributin në sukseset e klubit, ku së bashku me ekipin arriti të fitojë tre tituj kampioni dhe një Superkupë, duke lënë gjurmë të rëndësishme në historinë e skuadrës bardhekaltër.

“Po largohem krenar që kam qenë pjesë e periudhës më të suksesshme në historinë e klubit. Çdo fitore, çdo emocion dhe çdo sfidë e kaluar së bashku do të mbeten gjithmonë pjesë e kujtimeve të mia”, thuhej ndër të tjera në mesazhin e tij.

Ai falënderoi presidentët e klubit, trajnerët, bashkëlojtarët dhe gjithë stafin për mbështetjen ndër vite, ndërsa një falënderim të veçantë ua dedikoi tifozëve “Intelektualët”, të cilët sipas tij kanë qenë gjithmonë forca më e madhe e ekipit.

Largimi i tij shënon fundin e një epoke të rëndësishme për FC Drita, pasi gjatë viteve të fundit ai ishte një nga figurat kyçe të skuadrës në sukseset vendore dhe paraqitjet në garat evropiane.

Teilen: