Raheem Sterling u arrestua me dyshimin për drejtim mjeti nën ndikimin e drogës, pasi u përfshi në një aksident automobilistik. 31-vjeçari akuzohet për drejtim mjeti nën ndikimin e drogës, drejtim mjeti të rrezikshëm, posedim të drogave të Klasit C (droga me përdorim terapeutik, por me rrezik abuzimi si fenobarbitali) dhe refuzim për t’iu nënshtruar një alkotesti.
Arrestimi ndodhi të enjten në mëngjes pas një aksidenti ku përfshihej një Lamborghini në autostradën M3 në Hampshire. Sipas policisë lokale, automjeti u përplas me barrierat pa përfshirë asnjë automjet tjetër. Nuk u raportuan të lënduar.
Sterling aktualisht luan për Feyenoord Rotterdam, ku u transferua shkurtin e kaluar pasi arriti një marrëveshje për ndërprerje të parakohshme të kontratës me Chelsea FC. Në gjysmën e dytë të sezonit 2025-26, ai bëri tetë paraqitje në Eredivisie për klubin e Rotterdamit.
Gjatë karrierës së tij, Sterling luajti 396 ndeshje në Premier League, duke u afirmuar fillimisht me Liverpoolin dhe më pas me Man Cityn. Me “qytetarët”, ai fitoi katër tituj të ligës angleze. Në verën e vitit 2022, ai u transferua te Chelsea për 47.5 milionë stërlina, dhe në sezonin 2024-25, luajti në huazim te Arsenal FC. Megjithatë, pas kthimit në Stamford Bridge, ai doli nga planet e trajnerit Enzo Maresca.
Për ekipin kombëtar të Anglisë, Sterling bëri 82 paraqitje dhe shënoi 20 gola midis viteve 2012 dhe 2022, duke u bërë një nga fytyrat ikonike të “Tre Luanëve” për vite me radhë.