Mesfushori i Kombëtares së Kosovës, Bersant Celina do të largohet këtë verë nga AIK-u i Suedisë për të vazhduar karrierën në Arabinë Saudite.
Bëhet e ditur se Celina do të transferohet te Al-Ettifaq, ekip me të cilin pothuajse ka finalizuar marrëveshjen, që së shpejti do të bëhet zyrtare.
Celina me ekipin saudit do të firmos kontratë trevjeçare, ndonëse kishte ofertë edhe nga Turqia, skuadra e Bursasporit.
Mesfushori 29-vjeçar, tashmë ka konfirmuar largimin nga AIK-u, ekip për të cilin ditë më parë zhvilloi ndeshjen e fundit.
Celina ishte pjesë e skuadrës suedeze prej vitit 2024, ndërsa do të largohet si lojtar i lirë pasi në fund të këtij muaji i skadon kontrata me AIK-un.
Në 17 ndeshje të luajtura në sezonin aktual në të gjitha garat, Celina ka shënuar 7 gola dhe ka bërë 2 asistime.