Ruben Amorim do të jetë trajneri i ri i Milanit. Orët e fundit kanë qenë vendimtare: klubi kuqezi i ka bërë propozimin trajnerit portugez dhe ky i fundit ka pranuar. Pastaj ka ardhur edhe miratimi i pronarit Cardinale.
Akordi është arritur për një kontratë dyvjeçare me 3.5 milionë euro në sezon, me opsionin për vitin e tretë, plus bonuset për fitimin e trofeve dhe kualifikimin në Champions. Amorim pritet që të hedhë tashmë firmën, duke hequr dorë nga detyrimet që kishte ndaj tij Manchester United, klubi që e shkarkoi në janar.
Ish-mesfushori i Portugalisë, ka luajtur dy Botërorë me të, është 41 vjeç. Në 2021-shin çoi Sportingun e Lisbonës te titulli kampion pas 19 vitesh, për të bërë bis vitin pasardhës. La Lisbonën në nëntor të 2024-ës për Manchester United, por nuk pati sukses në Angli.
Tani vjen shansi te Milani. Me Amorim, Gerry Cardinale mbush një nga vendet e mbetura bosh, pas largimeve masive për shkak të dështimit në objektivin e kualifikimit në Champions. Pas trajnerit, pritet që të zgjidhet drejtori teknik, me Markus Krosche favorit.