Monday, 15. June 2026
Sport

Man United në aksion, po e transferon yllin nga PSG

GS 15/06/2026 3 Min. Lesezeit

Manchester United raportohet se ka nisur bisedimet për transferimin e sulmuesit të Paris Saint-Germain, Bradley Barcola, gjatë afatit kalimtar të verës

.

Klubi anglez po kërkon të përforcojë repartin ofensiv para rikthimit në Ligën e Kampionëve, ndërsa 23-vjeçari francez është shfaqur si një nga objektivat kryesorë të merkatos.

Sipas raportimeve të TEAMtalk, PSG dëshiron ta mbajë Barcolan në skuadër, por situata e tij është komplikuar për shkak të pakënaqësisë së lojtarit me minutazhin e kufizuar gjatë muajve të fundit.

Pakënaqësi në Paris

Roli i Barcolas është zvogëluar ndjeshëm pas transferimit të Khvicha Kvaratskhelias në janar të vitit 2025. Megjithatë, sulmuesi francez vazhdoi të ishte pjesë e rëndësishme e ekipit, duke zhvilluar 49 paraqitje në të gjitha garat sezonin e kaluar.

Burime pranë klubit pretendojnë se Barcola mbeti shumë i zhgënjyer pasi nuk u përfshi në formacionin titullar në gjysmëfinalet dhe finalen e Ligës së Kampionëve, ku PSG mposhti Arsenalin dhe fitoi trofeun më prestigjioz evropian për klube.

Pavarësisht kësaj, paraqitjet e tij i siguruan një vend në kombëtaren e Francës për Kupën e Botës 2026. Megjithatë, edhe aty konkurrenca është e fortë, pasi ai nuk ishte titullar në asnjërën nga ndeshjet përgatitore para turneut.

PSG nuk e përjashton largimin

Sipas gazetës franceze L’Equipe, drejtuesit e PSG-së e kuptojnë pakënaqësinë e lojtarit dhe mund të pranojnë largimin e tij nëse mbërrin një ofertë e kënaqshme dhe klubi arrin të sigurojë një zëvendësues të përshtatshëm.

Barcola ka ende dy vite kontratë me kampionët e Francës, gjë që i jep PSG-së një pozitë të fortë në negociata dhe nuk e detyron klubin të shesë lojtarin me çdo kusht.

Sipas talkSPORT, vlera e tij aktuale në treg arrin rreth 60 milionë funte.

Arsenal dhe Liverpool në garë

Manchester United nuk është i vetmi klub i interesuar për francezin. Arsenal dhe Liverpool po monitorojnë nga afër situatën e tij dhe mund të hyjnë në garë nëse lojtari vendos të largohet nga Parisi.

Arsenali kërkon të përforcojë krahun e majtë të sulmit pas suksesit në Premier League, ndërsa Liverpool është në kërkim të alternativave të reja sulmuese pas largimit të legjendës së klubit, Mohamed Salah.

Kjo pritet ta bëjë garën për firmën e Barcolas një nga më interesantet e kësaj vere.

Prioriteti i United mbetet mesfusha

Edhe pse emri i Barcolas vazhdon të lidhet me Manchester Unitedin, raportet në Angli sugjerojnë se prioriteti kryesor i klubit mbetet rindërtimi i mesfushës.

Skuadra e drejtuar nga Michael Carrick pritet të afrojë deri në tre mesfushorë të rinj gjatë merkatos. Përveç kësaj, klubi po shqyrton mundësinë e transferimit të një mbrojtësi krahu dhe një portieri rezervë.

Në repartin ofensiv, drejtuesit e Unitedit duket se po i japin më shumë përparësi transferimit të një sulmuesi qendre sesa një anësori tjetër, megjithëse interesimi për Bradley Barcolan mbetet i gjallë.

Teilen: