Trajneri portugez Jose Mourinho ka identifikuar mesfushorin e Borussia Dortmund, Felix Nmecha, si një nga objektivat kryesorë për të forcuar mesfushën e Real Madrid
.
Sipas raportimeve të mediave gjermane, Mourinho është një admirues i madh i reprezentuesit gjerman dhe e sheh atë si profilin ideal për t’i dhënë më shumë energji, kreativitet dhe balancë repartit të mesfushës në “Santiago Bernabéu”.
Megjithatë, madrilenët nuk janë të vetëm në garë për shërbimet e 24-vjeçarit. Interes për Nmechan kanë shfaqur edhe dy gjigantët e Premier League, Manchester United dhe Manchester City, duke paralajmëruar një betejë të fortë në merkato.
Karriera e Nmechas ka marrë hov të madh që prej transferimit të tij nga VfL Wolfsburg te Dortmundi në vitin 2023 për rreth 30 milionë euro. I afruar fillimisht si zëvendësues i Jude Bellingham, ai është shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës.

Deri më tani, mesfushori ka zhvilluar 112 ndeshje zyrtare me fanellën verdhezi, duke kontribuar me 13 gola dhe tetë asistime. Forma e tij e mirë ka bërë që ai të konsiderohet një nga futbollistët më të vlefshëm të Dortmundit dhe një nga lojtarët më të paguar të klubit për sezonin e ardhshëm.
Edhe trajneri i Dortmundit, Niko Kovac, ka vlerësuar lart ndikimin e Nmechas në ekip.
“Felix po zhvillohet në drejtimin e duhur. Ai është metronomi ynë në mesfushë, organizon dhe udhëheq lojën tonë. Kemi nevojë për të dhe jam shumë i lumtur me progresin që po bën”, deklaroi Kovac.
Mbetet të shihet nëse Mourinho do të arrijë ta bindë Dortmundin të heqë dorë nga një prej lojtarëve të tij më të rëndësishëm, ndërsa konkurrenca nga Anglia pritet ta bëjë transferimin edhe më të vështirë.