Ëndrra e Luciano Spalletti për të ndërtuar një ekip të madh sezonin e ardhshëm nuk ka mbaruar ende. Trajneri i Juventus po lëviz të gjitha kartat për të sjellë në Torino disa lojtarë të Liverpool.
Portieri brazilian Alisson, të cilin Spalletti e njeh mirë nga koha e tij në Romë, i kishte hapur derën një transferimi në Torino. Megjithatë, “reds” e penguan marrëveshjen, duke u afruar me portierin e tyre.
Emri më i fundit është ai i Mohamed Salah, që gjithashtu ka një marrëdhënie të shkëlqyer me Spalletti. Gjatë kohës që ishin së bashku te Roma, trajneri arriti të maksimizonte potencialin e egjiptianit, duke hapur rrugën për kalimin e tij në Premier League.
Sot, aventura e egjiptianit në “Anfield” ka mbaruar dhe ai aktualisht është pa kontratë. Juve nuk mund t’i garantojë atij pagën që fitonte te Liverpool (rreth 12 milionë euro në vit), as nuk mund të konkurrojnë me ofertat bujare që vijnë nga Arabia Saudite.
Bardhezinjtë mund të shfrytëzojnë projektin e tyre sportiv dhe mundësinë që Salah të ketë një “vallëzim” të fundit evropian me një trajner që ai e respekton dhe e admiron. Një operacion shumë kompleks, por jo i pamundur. “Spalletti? Ndër më të mirët që kam pasur“, pat thënë Salah.