Ylli i Barcelonës, Lamine Yamal nuk e ka pritur mirë vendimin e trajnerit Luis de la Fuentes për ta lënë në stol ndaj Kepit të Gjelbër, ndërsa po shtyn për një vend në formacionin titullar në ndeshjen e radhës të Kampionatit Botëror.
Yamal raportohet se nuk është plotësisht i kënaqur me trajtimin e tij në Kombëtaren e Spanjës gjatë Kupës së Botës 2026.
Sipas mediumit Cadena SER, talenti 18-vjeçar është shfaqur serioz dhe i rezervuar në seancën stërvitore të ditës së sotme, pas zhgënjimit që përjetoi në ndeshjen hapëse ndaj Kepit të Gjelbër.
Përzgjedhësi Luis de la Fuente vendosi të mos e aktivizojë si titullar sulmuesin e Barcelonës, duke marrë parasysh faktin se ai sapo ishte rikthyer nga një lëndim në muskujt e pasmë të kofshës. Si pasojë, Yamal u inkuadrua në lojë vetëm në mesin e pjesës së dytë si zëvendësues.
Megjithatë, ylli spanjoll beson se është rikuperuar plotësisht dhe se është në gjendje të luajë nga minuta e parë. Pikërisht për këtë arsye, ai mbetet i zhgënjyer që nuk pati mundësinë të ndikonte më shumë në ndeshjen e parë të Botërorit.
Sipas raportimeve, Yamal po kërkon një vend në formacionin titullar për përballjen e së dielës kundër Arabisë Saudite, duke qenë i bindur se është gati për të marrë më shumë përgjegjësi në fushë.
Në anën tjetër, stafi teknik dhe ekipi mjekësor i Spanjës vazhdojnë të tregohen të kujdesshëm. Ata vlerësojnë se lojtari ende nuk është rikuperuar plotësisht nga lëndimi dhe se një rikthim i nxituar në 11-she mund të rrisë rrezikun e përkeqësimit të gjendjes së tij fizike.
Mbetet të shihet nëse De la Fuente do t’i besojë një vend nga minuta e parë njërit prej talenteve më të mëdha të futbollit botëror, apo do të vazhdojë ta menaxhojë me kujdes për të shmangur çdo problem të mundshëm fizik.