Saturday, 20. June 2026
Sport

SHBA mund Australinë, kualifikohet

GS 20/06/2026 2 Min. Lesezeit

SHBA është skuadra e dytë, pas Meksikës, e kualifikuar për në fazën me eliminim në Kupën e Botës, falë fitores 2-0 kundër Australisë, në Seattle. Përballë ishin dy kryesuesit e Grupit D, por ndeshja foli e gjitha për skuadrën amerikane, edhe pse nisja ishte menjëherë kërcënuese nga Australia, me Toure që gjuajti nga e djathta brenda 40 sekondave.

Shtetet e Bashkuara morën menjëherë kontrollin e lojës dhe në rastin e parë të rrezikshëm kaluan në epërsi, në minutën e 11-të, kur Balogun nga e majta pasoi drejt qendrës dhe Burgess shënoi në portën e tij. Vetëm një minutë më pas Leckie u përgjigj me një gjuajtje të bukur me trinë, por pa gjetur kuadratin.

Ishte rasti i vetëm i Australisë në pjesën e parë, ndërkohë që amerikanët qarkulluan topin të sigurt, deri sa në minutën e 43-të shënuan edhe golin e dytë, me Freeman. Goli fillimisht u anulua për pozicion jashtë loje, por pas shqyrtimit nga VAR gjyqtari Felix Zëayer tregoi nga mesi i fushës, 2-0 për skuadrën e Poçetinos.

Pas një tentative nga Dest me të majtën në fundin e pjesës së parë, skuadrat shkojnë në pushim. Skuadra e dytë është thuajse e përgjumur, edhe pse në minutën e 51-të Balogun ka mundësi për 3-0, por vonohet shumë. Amerika nis të lëshojë terren, ndërkohë që futja e Irankundës i jep më tepër agresivitet Australisë. 20-vjeçari i ofron mundësinë Cirkatos në minutën e 62-të pas një kundërsulmi, por ai gjuan jashtë.

Tri minuta më pas, Metcalfe gjuan në zonë, por qendrore dhe Freese pret pa vështirësi. Disa minuta të mira për Australinë dhe Amerika kupton që nuk mund të shpërqendrohet tepër. Vazhdon t’i lërë terren kundërshtarit, por tani më e organizuar dhe nuk lejon hapësira, as raste,  deri në minutën e 85-të kur gjuan Geria, pa sukses.

Minutat e fundit bëhen interesante vetëm nga dëmtimi i gjyqtarit Zëayer, që megjithatë qëndron deri në fundin e takimit të mbyllur me fitoren e merituar të Shteteve të bashkuara të Amerikës.

Teilen: