Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Vllaznia njofton se ka mbyllur bashkëpunimin me Esat Malën. Pas 4 sezoneve të kaluara në Shkodër, 27-vjeçari bëhet gati për një eksperiencë të re në karrierën e tij.
“Faleminderit, Esat Mala! Pas 4 sezoneve të mbushura me përkushtim, profesionalizëm dhe dashuri për fanellën kuqeblu, rrugëtimi i Esat Malës me Vllazninë mbyllet këtu.
Me karakterin, sakrificën dhe kontributin e tij në fushën e lojës, Esati ka qenë një pjesë e rëndësishme e familjes sonë, duke dhënë gjithmonë maksimumin për ngjyrat e Vllaznisë.
Klubi i Futbollit Vllaznia e falënderon për gjithçka që ka dhënë për këtë fanellë dhe i uron suksese në vazhdim të karrierës dhe jetës së tij personale.
Faleminderit për gjithçka, Esat! Shkodra do të të mirëpresë gjithmonë si mik”, shkruhet në njoftimin e klubit shkodran.