Sunday, 21. June 2026
Sport

Holanda shpartallon Suedinë, ia shënon 5 gola dhe rrëmben lidershipin në grup

GS 20/06/2026 2 Min. Lesezeit

Holanda ka shënuar një fitore bindëse 5-1 ndaj Suedisë të shtunën, me Brian Brobbey dhe Cody Gakpo që realizuan nga dy gola secili, duke udhëhequr një paraqitje dominuese të skuadrës holandeze në Grupin F.

Pas barazimit 2-2 ndaj Japonisë në ndeshjen e parë të Kupës së Botës, Holanda hyri fuqishëm në lojë, duke kaluar në epërsi që në minutën e pestë. Aksioni i golit të parë u ndërtua nga Brobbey, i cili pasoi te Tijjani Reijnders, ndërsa ky i fundit gjeti Cody Gakpon në krah. Gakpo më pas asistoi në zonë për Brobbeyn, i cili e konkretizoi për 1-0, transmeton lajmi.net.

Brobbey, i cili startoi për herë të parë në turne në vend të Crysencio Summerville, nuk u ndal me kaq. Vetëm 12 minuta më vonë, ai dyfishoi shifrat duke shfrytëzuar një pasim të Denzel Dumfries dhe duke mposhtur mbrojtjen suedeze për 2-0.

Sipas statistikave të Opta-s, dopieta e Brobbey-t ishte ndër më të shpejtat në historinë moderne të Kupës së Botës, e katërta më e shpejtë që nga viti 1986.

Në pjesën e dytë, Holanda vazhdoi dominimin. Summerville, i futur nga stoli, u bë sërish protagonist me një aksion të bukur që çoi në golin e Gakpos për 3-0, ndërsa sulmuesi holandez realizoi edhe vetë për 4-0 vetëm pak minuta më vonë.

Suedia arriti të ngushtojë rezultatin në 4-1 përmes Anthony Elangës, i cili shënoi pak minuta pas aktivizimit të tij, duke i hequr portierit Bart Verbruggen mundësinë për portë të paprekur.

Në fund, Summerville vulosi fitoren 5-1 me golin e pestë të Holandës në minutën e 89-të, duke konfirmuar dominimin total të “Portokallinjve”.

Me këtë fitore, Holanda kalon një pikë përpara Suedisë në renditjen e Grupit F dhe mbetet në garë për vendin e parë, ndërsa Japonia dhe Tunizia pritet të përcaktojnë më tej renditjen e grupit./lajmi.net/

Teilen: