Tuesday, 7. July 2026
Sport

Kroacia ankohet në FIFA pas eliminimit nga Portugalia

GS 07/07/2026 3 Min. Lesezeit

Federata Kroate e Futbollit ka paraqitur një ankesë zyrtare në FIFA pas eliminimit nga Portugalia në fazën e 1/32-ës së Kampionatit Botëror, duke akuzuar organin qeverisës të futbollit për atë që e quan “abuzim me teknologjinë” gjatë një momenti vendimtar të ndeshjes.

Kroacia u mposht me rezultat 2-1 nga Portugalia në një sfidë dramatike, ku në minutat shtesë Josko Gvardiol realizoi një gol që fillimisht u pranua nga gjyqtari Espen Eskas, por më pas u anulua pas një rishikimi të gjatë nga sistemi VAR.

Vendimi për anulimin e golit u bazua në një pozitë jashtë loje, e cila sipas FIFA-s u konfirmua falë sensorëve të integruar në topin zyrtar “Trionda”. Sipas shpjegimit të FIFA-s, sensorët IMU janë në gjendje të zbulojnë edhe kontaktet minimale me topin, përfshirë një prekje të padukshme nga flokët e Igor Matanoviqit, që ndryshoi vlerësimin e aksionit për pozicionin jashtë loje.

FIFA mbrojti përdorimin e kësaj teknologjie, duke theksuar se sensorët ofrojnë të dhëna të sakta dhe ndihmojnë arbitrat në marrjen e vendimeve më të shpejta dhe më të drejta.

Megjithatë, Federata Kroate vlerëson se përdorimi i të dhënave kaq të detajuara bie ndesh me frymën e sistemit VAR, i cili sipas tyre duhet të ndërhyjë vetëm në rastet e “gabimeve të qarta dhe evidente”.

Në ankesën drejtuar presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, Kroacia shprehi pakënaqësi edhe për penalltinë e akorduar në favor të Portugalisë, nga e cila Cristiano Ronaldo barazoi rezultatin në minutën e 68-të.

Zëdhënësi i Federatës Kroate, Tomislav Pacak, deklaroi se shqetësimi kryesor nuk lidhet vetëm me vendimet e arbitrave, por me mënyrën se si është zbatuar protokolli i VAR-it.

“Besojmë se protokolli i VAR-it është zbatuar gabimisht në rastin e penalltisë për Portugalinë dhe se arbitri nuk duhej të thirrej për ta rishikuar situatën. Po ashtu, goli i barazimit u anulua në kundërshtim me rregullat dhe frymën e futbollit, pasi pozita jashtë loje u përcaktua për shkak të një prekjeje pothuajse të padukshme të topit, të evidentuar vetëm nga sensori”, ka deklaruar Pacak.

Ai shtoi se Kroacia e mbështet zhvillimin teknologjik në futboll, por konsideron se përdorimi i tij në këtë rast përbën “abuzim me teknologjinë” dhe nuk i shërben interesit të futbollit, skuadrave apo tifozëve.

Federata Kroate ka kërkuar nga FIFA një sqarim të detajuar për vendimet e marra gjatë ndeshjes, duke theksuar se ankesa nuk do ta ndryshojë rezultatin, por synon të nxisë një debat mbi kufijtë e përdorimit të teknologjisë në futboll.

 

Teilen: