Kupa e Botës 2026 po dhuron një nga garat më të jashtëzakonshme për “Këpucën e Artë”.
Katër nga sulmuesit më të mëdhenj të futbollit botëror po zhvillojnë një duel spektakolar për titullin e golashënuesit më të mirë të turneut.
Ndryshe nga edicionet e kaluara, ku fituesi i këtij çmimi shpesh ishte i qartë që në fazat e hershme, këtë herë gara mbetet plotësisht e hapur.
Lionel Messi kryeson listën me tetë gola, Kylian Mbappe dhe Erling Haaland e ndjekin me nga shtatë gola secili dhe pas tyre renditet Harry Kane me gjashtë gola.
Kylian Mbappe (7), Lionel Messi (8) dhe Erling Haaland (7) kanë shënuar 22 gola së bashku në Kupën e Botës 2026
Shifrat janë të jashtëzakonshme sepse në shumicën e edicioneve në dekadat e fundit, këto statistika do të kishin qenë të mjaftueshme për të fituar “Këpucën e Artë”.
Për shembull, Miroslav Klose fitoi çmimin në vitin 2006 me vetëm pesë gola, po aq sa realizoi edhe Thomas Müller në vitin 2010.
Ndërsa Kane triumfoi me gjashtë gola në vitin 2018, teksa Mbappé me tetë gola në 2022.
Bazuar në pikëpamjen historike, vetëm tetë futbollistë kanë arritur më parë të shënonin tetë ose më shumë gola në një Kupë Bote, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv
Me tetë golat e tij, Messi tashmë i është bashkuar një liste legjendare ku bëjnë pjesë emra si Just Fontaine, Sandor Kocsis, Gerd Müller, Ademir, Eusebio, Guillermo Stabile, Ronaldo dhe vetë Mbappe.
Ndërkohë, Mbappé, Haaland dhe Kane janë shumë pranë që t’i bashkohen kësaj liste elitare.
Në rast barazimi me gola, fituesi përcaktohet fillimisht nga numri i asistimeve. Nëse edhe kjo barazohet, atëherë caktohet nga futbollisti që ka luajtur më pak minuta gjatë turneut.
Aktualisht, Mbappe ka dy asistime, ndërsa Messi dhe Kane kanë nga një, ndërsa Haaland spikat për efikasitetin e tij para portës.
Mbappe është mbajtësi aktual i këtij çmimi pasi shënoi tetë gola në vitin 2022

