Saturday, 11. July 2026
Sport

Sonte Gjoni Palokaj ndeshet me çeçenin Machaev për titullin kampion në Octagon MMA

GS 11/07/2026 2 Min. Lesezeit

Shqiptar Gjoni Palokaj, me prejardhje nga Velezha e Prizrenit, lindur e rritur në Hanover të Gjermanisë, është gati për sfidën më të madhe të karrierës së tij.

Sonte më 11 korrik, në eventin spektakolar OKTAGON 91 në Lanxess Arena të Këlnit, ai do të përballet me kampionin e peshës pendël Machaev, në një duel për titull.

Kjo luftë ishte paraparë të zhvillohej më 16 maj në ZAG Arena në Hannover, mirëpo shkaku i një lëndimi që kishte pësuar Palokaj, meqi ishte shtyrë.

Palokaj vjen në këtë meç si një nga emrat më në formë të MMA-së evropiane. Ai, është ende i pamposhtur në organizatën OKTAGON dhe mban një seri prej tetë fitoresh radhazi. Me rekord profesional prej 13 fitoresh dhe 3 humbjesh, shqiptari synon të shkruajë histori duke u shpallur kampion i njërës prej organizatave më prestigjioze të MMA-së në Evropë.

Në anën tjetër, Machaev, i renditur i 53-ti në botë, do të mbrojë për herë të parë titullin që e fitoi në fillim të këtij viti pas një nokauti spektakolar në raundin e parë ndaj Niko Samsonidse. Luftëtari austriak me origjinë çeçene njihet për stilin e tij agresiv dhe fuqinë e madhe në goditje.

Mago Machaev nuk ka arritur ta bëjë peshën. Në momentin zyrtar të matjes ai ishte 1.2 kg mbi limit. Ndërsa, Gjoni Palokaj e ka bërë peshën sipas rregullave.

Pas matjes, Machaevit iu dhanë edhe 2 orë kohë shtesë për t’i hequr  1.2 kg, por nuk ia doli. Ai, arriti të humbte vetëm 100 gram, kështu që mbeti 1.1 kg mbi peshën e lejuar.

Ndërkohë, organizata e pyeti Gjonin dhe trajnerin e tij, David Palokaj, nëse dëshironin që ndeshja të zhvillohej, derisa trajneri David Palokaj pranoi dhe tha “Po.”

Për shkak se nuk e bëri peshën sipas rregullave, Oktagon ia hoqi Machaevit rripin e kampionit.

Kjo do të thotë se, edhe nëse Machaev fiton ndeshjen, ai nuk mund ta rikthejë rripin e kampionit. Ndërsa, nëse Gjoni fiton, ai do të shpallet kampion dhe do ta marrë rripin dhe shpallet kampion.

Kurse nëse humb, asnjëri nuk e merr rripin e kampionit.

Teilen: