Thursday, 16. July 2026
Sport

Klubet kosovare të basketbollit njohin kundërshtarët për Kupat e Evropës

GS 16/07/2026 2 Min. Lesezeit

Klubet kosovare kanë mësuar kundërshtarët e tyre për edicionin 2026/27 të Kupës së Evropës FIBA, pas shortit të hedhur të enjten në Munih të Gjermanisë.

Kampionia e Kosovës, Trepça, është shortuar në Grupin A, ku do të ketë përballje me Promitheas Patras nga Greqia, Opavan nga Çekia, VET-CONCEPT Gladiators Trier nga Gjermania, Splitin nga Kroacia dhe Batumi 2010 nga Gjeorgjia.

Ndërkohë, Bashkimi do të garojë në Grupin F, ku do të përballet me Bigbank/Kalev nga Estonia, Glint Manisa Basket nga Turqia, Elan Chalon nga Franca, Valmiera Glass VIA nga Letonia dhe Manchester Basketball nga Britania e Madhe.

Nga ana tjetër, Peja do ta nisë aventurën evropiane nga raundi kualifikues. Verdhezinjtë do të përballen me Dinamon e Bukureshtit nga Rumania në duele me sistem vajtje-ardhje, ku fituesi do të sigurojë një vend në fazën e grupeve të Kupës së Evropës FIBA.

Sipas kalendarit të garës, ndeshjet e raundit kualifikues do të zhvillohen më 23 dhe 30 shtator, ndërsa faza e grupeve do të nisë më 7 tetor.

Me tri skuadra në garat evropiane, basketbolli kosovar synon një paraqitje sa më të suksesshme në arenën ndërkombëtare gjatë sezonit të ri.

Teilen: