Friday, 17. July 2026
Sport

​Kontest për Ishujt Falkland pas ndeshjes Angli-Argjentinë, reagon qeveria briteneze

GS 17/07/2026 3 Min. Lesezeit

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka reaguar ashpër pasi futbollistët e Argjentinës festuan kualifikimin në finalen e Kupës së Botës 2026 me një banderolë ku shkruhej “Las Malvinas son Argentinas” (“Ishujt Falkland janë argjentinas”), duke theksuar se “Kupa e Botës mund të mos jetë e jona, por Ishujt Falkland padyshim që janë”.

Downing Street ritheksoi se qëndrimi i Londrës për sovranitetin e ishujve mbetet i pandryshuar dhe se e drejta për vetëvendosje u takon banorëve të Falklandit.

Pas fitores 2:1 ndaj Anglisë në gjysmëfinale, disa lojtarë argjentinas shpalosën banderolën që mbështet pretendimin territorial të Argjentinës mbi Ishujt Falkland, territor britanik përtej detit në Atlantikun Jugor. Zëdhënësja e kryeministrit britanik deklaroi se çdo masë disiplinore është çështje e FIFA-s, ndërsa mbështeti kërkesat që organi qeverisës i futbollit botëror ta shqyrtojë rastin.

Edhe qeveria e Ishujve Falkland u shpreh e zhgënjyer nga veprimi i futbollistëve argjentinas, duke theksuar se politika nuk duhet të përzihet me sportin dhe duke kërkuar që FIFA të zbatojë rregulloret e saj ndaj çdo sjelljeje të tillë. Autoritetet rikujtuan gjithashtu referendumin e vitit 2013, ku mbi 99 për qind e votuesve u shprehën në favor të mbetjes së ishujve territor britanik.

Në Dhomën e Komunave, ministri britanik për Evropën, Stephen Doughty, deklaroi se Mbretëria e Bashkuar “nuk ka absolutisht asnjë dyshim për sovranitetin” mbi Ishujt Falkland, duke shtuar se banorët e ishujve kanë shprehur vazhdimisht dëshirën për të mbetur britanikë. Ndërkohë, liderë politikë britanikë, përfshirë Ed Davey, Kemi Badenoch dhe Nigel Farage, dënuan veprimin e futbollistëve argjentinas, me Davey që kërkoi madje përjashtimin e tyre nga finalja.

Nga ana tjetër, mesfushori i Argjentinës, Leandro Paredes, tha se Lufta e Falklandit është një “pjesë e trishtueshme e historisë” së vendit të tij dhe se për argjentinasit përballja me Anglinë “nuk ishte thjesht një ndeshje futbolli”. Edhe zëvendëspresidentja e Argjentinës, Victoria Villarruel, publikoi një mesazh në rrjetet sociale duke përsëritur pretendimin se Ishujt Falkland i përkasin Argjentinës.

Mosmarrëveshja për Ishujt Falkland vazhdon prej dekadash dhe kulmoi me luftën e vitit 1982 mes Britanisë së Madhe dhe Argjentinës, konflikt që zgjati 74 ditë dhe la qindra të vrarë nga të dyja palët.

Teilen: