Egnatia kampione dhe Dinamo fituese e Kupës janë dy skuadrat shqiptare që vazhdojnë rrugëtimin europian, ndërsa Vllaznia dhe Elbasani janë eliminuar që në turin e parë. Interesant është fakti se në turin e dytë, si rrogozhinasit, ashtu edhe kryeqytetasit, do të ndeshen me skuadra sllovene.
Egnatia, pasi eliminoi Petrokub të Moldavisë, do të përballet me Celje në turin e dytë kualifikues të Champions League. Ndeshja e parë luhet në Rrogozhinë dhe e kthimit në Slloveni një javë më pas.
Dinamo eliminoi Astanën mbrëmjen e djeshme, në turin e dytë kualifikues të Conference League gjen Aluminij, një tjetër ekip slloven. Mund të konsiderohet një kundërshtar i kalueshëm për skuadrën e Dajës, edhe pse në futbollin e sotëm nuk ka më skuadra të lehta.
Blutë luajnë të enjten e ardhshme në Slloveni dhe një javë më pas në fushën e vet.