Meriton Korenica, përfundimisht pritet të largohet nga skuadra e Clujit gjatë kësaj vere, kanë njoftuar mediumet në Rumani.
Cluji tashmë e ka nxjerrë në shitje Korenicën dhe atë me çmim të përgjysmuar, për shkak të krizës financiare që e ka kapluar Clujin.
Për kartonin e Korenicës, Cluji po kërkon të paktën 1 milion euro por është i gatshëm të pranojë edhe një ofertë deri në 800 mijë euro.
Interesimi për Korenicën nuk ka munguar dhe së fundmi, skuadra tjetër nga Rumania, Universitatea Craiova ka ofruar 600 mijë euro për kartonin e tij.
Te Cluji, aktualisht nuk e kanë pranuar këtë ofertë dhe po presin edhe ofertat e skuadrave tjera pasi interesim për Korenicën më herët kanë treguar edhe skuadrat nga Arabia Saudite, SHBA-ja e Italia.
Mesfushori 29-vjeçari është pjesë e Clujit prej vitit 2024 kurse ka kontratë deri në verën e vitit të ardhshëm, ndërsa vlerësohet ndër lojtarët më të dalluar të këtij klubi.
Sezonin e shkuar, Korenica në 50 paraqitje në të gjitha garat ka shënuar 12 gola dhe ka bërë 9 asistime për Clujin.