Thursday, 23. July 2026
Sport

Sot zhvillohen ndeshjet e ditës së tretë të Ballkanikut U17 të volejbollit në Ferizaj

GS 23/07/2026 2 Min. Lesezeit

Kampionati Ballkanik U17 në volejboll për vajza vazhdon sot me ndeshjet e ditës së tretë, të cilat do të zhvillohen në Pallatin e Sporteve “Bill Clinton” në Ferizaj.

Vëmendja kryesore e publikut vendas do të jetë te përballja ndërmjet Kosovës dhe Bullgarisë, e cila nis në orën 17:30. Kombëtarja e Kosovës synon paraqitje të mirë përballë një rivaleje të fortë në garën rajonale.

Programi i ditës së tretë sjell tri përballje interesante, ku ndeshja hapëse do të zhvillohet nga ora 15:00 ndërmjet Turqisë dhe Malit të Zi. Më pas, në orën 17:30, Kombëtarja e Kosovës do të përballet me Bullgarinë në një sfidë të rëndësishme për ecurinë në kampionat, ndërsa dita do të mbyllet me takimin mes Shqipërisë dhe Moldavisë, që nis në orën 20:00. Të gjitha ndeshjet do të luhen në Pallatin e Sporteve “Bill Clinton” në Ferizaj.

Ndeshjet zhvillohen në kuadër të Kampionatit Ballkanik U17 për vajza, i cili ka mbledhur në Ferizaj disa nga përfaqësueset më të mira të rajonit.

Federata e Volejbollit e Kosovës ka ftuar tifozët dhe dashamirët e sportit që të jenë të pranishëm në Pallatin e Sporteve “Bill Clinton” për të mbështetur Kombëtaren e Kosovës në këtë garë të rëndësishme.

 

Teilen: