Wednesday, 29. July 2026
Sport

Përplasje e re mes FIFA-s dhe UEFA-s, evropianët kërcënojnë bojkotimin e grave të FIFA-s

GS 29/07/2026 2 Min. Lesezeit

FIFA dhe UEFA janë përfshirë në një tjetër përplasje të fortë, pasi organizata botërore ka prezantuar një plan për krijimin e një kompanie të re që do të menaxhojë dhe shesë një pjesë të të drejtave komerciale të Kupës së Botës dhe turneve të tjera kryesore.

Sipas planit të prezantuar nga presidenti Gianni Infantino, do të krijohet kompania FIFA Forward Enterprise (FFE), e cila do të merret me tregtimin e aksioneve dhe të drejtave komerciale të Kupës së Botës për meshkuj, femra dhe Kupës së Botës për Klube. FIFA synon të mbajë kontrollin shumicë mbi kompaninë, ndërsa një pjesë e aksioneve do t’u ofrohet investitorëve privatë.

Ky projekt ka hasur në kundërshtim të ashpër nga UEFA, e cila e akuzon FIFA-n se po “shet shpirtin e futbollit”. Konfederata evropiane ka paralajmëruar se po shqyrton mundësinë e ndërmarrjes së hapave ligjorë për ta bllokuar iniciativën, ndërsa në diskutim është përmendur edhe një bojkot i mundshëm i Kupës së Botës 2030.

Në deklaratën e saj, UEFA theksoi se qeverisja e futbollit dhe vlerat e këtij sporti nuk duhet të trajtohen si asete tregtare, duke kërkuar transparencë të plotë mbi projektin dhe përfituesit financiarë.

Sipas mediave britanike, FIFA e vlerëson kompaninë e re në rreth 20 miliardë dollarë, ndërsa synon të mbledhë rreth 4.2 miliardë dollarë nga shitja e aksioneve te investitorët privatë.

Organizata pretendon se të ardhurat shtesë do të përdoren për rritjen e fondeve që u shpërndahen federatave anëtare në ciklet e ardhshme të Kupës së Botës.

Projekti ende duhet të miratohet nga shumica e 211 federatave anëtare të FIFA-s, ndërsa nuk është caktuar ende një datë për votimin e tij. Ndërkohë, marrëdhëniet mes FIFA-s dhe UEFA-s vazhdojnë të tensionohen, duke e bërë këtë një nga konfliktet më serioze ndërmjet dy institucioneve më të fuqishme të futbollit botëror

Teilen: