Klubi zikaltër nuk dorëzohet, por nuk mund të plotësojë kërkesën për 6.5 milionë euro në vit. Argjentinasi shpreson te një lëvizje e katalanasve.
Rruga për të çuar Cristian Romero tek Inter bëhet një malore gjithmonë e më e fortë. Drejtuesit zikaltër e dinin se do të ishte e vështirë për të marrë mbrojtësin argjentinas. Bisedimet për momentin duket se janë pezull.
Interi është në dijeni të kërkesës ekonomike të lojtarit dhe të Tottenham. Distanca më e madhe aktualisht është me njerëzit pranë Romeros se me çmimin dhe formulën e transferimit. Prandaj dhe Marotta e Ausilio u fokusuan te John Stones. Anglezi ditët e ardhshme do të jetë në Milano për vizitat mjekësore, ndërkohë drejtuesit e Interit nuk e përjashtojnë afrimin e argjentinasit, apo të ndonjë mbrojtësi tjetër.
Megjithatë, në asnjë rast zikaltrit nuk mund të shkojnë te 6.5 milionë eurot që Romero përfiton në Londër. Argjentinasi e mban stekën lart edhe për faktin se ka një presing të Barcelonës, sipas shtypit spanjoll. Katalanasit do ta merrnin menjëherë, duke parë qëndrimin e Tottenham në lidhje me një huazim me të drejtë blerjeje. Barcelona mund ta kënaqë lojtarin edhe për pagën, prandaj dhe rruga e Interit është malore.