Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, së bashku me nënkryetarin Bakir Burri dhe anëtarin e Komitetit Ekzekutiv, Samir Ujkani, kanë pritur sot në selinë e federatës delegacionin e 2 Korrikut dhe futbollistët e grupmoshës U15, pas paraqitjes së suksesshme në turneun prestigjioz ndërkombëtar Gothia Cup 2026 në Suedi.
Presidenti Agim Ademi theksoi se paraqitja e ekipit në Gothia Cup është dëshmi e potencialit që posedon futbolli kosovar, duke theksuar se renditja në mesin e tetë ekipeve më të mira nga gjithsej 252 skuadra pjesëmarrëse në kategorinë B15 përbën një sukses të madh.
Sipas tij, 2 Korriku zhvilloi një kampanjë mbresëlënëse me pesë fitore radhazi, duke dëshmuar cilësi të lartë sportive dhe organizative.
Ademi vlerësoi gjithashtu promovimin e kulturës dhe identitetit kombëtar nga klubi, i cili u shpall fitues i çmimit “Best Outfit Award 2026” për paraqitjen me veshje tradicionale shqiptare në ceremoninë hapëse të turneut, ku morën pjesë ekipe nga 79 shtete.
Si rezultat i këtij vlerësimi, 18 futbollistë të 2 Korrikut do të marrin pjesë pa pagesë në edicionin e ardhshëm të Gothia Cup.
“Na vjen mirë për sukseset që keni arritur. Duke e ditur organizimin dhe nivelin e lartë të klubit tuaj, ky rezultat nuk është i rastësishëm. Gothia Cup është një ngjarje që zhvillohet prej shumë vitesh dhe të renditesh në mesin e tetë ekipeve më të mira nga 252 pjesëmarrëse është një arritje e madhe. Përveç futbollit, keni treguar nivel të lartë edhe në promovimin e kulturës sonë përmes veshjeve tradicionale, për çka edhe jeni shpërblyer me pjesëmarrje falas për 18 futbollistë në edicionin e ardhshëm. Ju falënderojmë për përfaqësimin dinjitoz të Kosovës dhe ju sigurojmë se mbështetja e FFK-së për zhvillimin e futbollit të të rinjve nuk do të mungojë”, tha Ademi.
Në emër të 2 Korrikut, Shaban Baholli falënderoi FFK-në për pritjen dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj klubit.
“Ju falënderojmë për këtë pritje dhe për përkrahjen që kemi pasur gjithmonë prej jush. Është kënaqësi të kemi afër vetes njerëz që kontribuojnë për zhvillimin e futbollit në Kosovë”, u shpreh Baholli.
Klubi i Futbollit “2 Korriku”, mori pjesë në turneun ndërkombëtar të futbollit për grupmoshat e reja, Gothia Cup 2026, duke u renditur në mesin e tetë skuadrave më të mira nga 252 skuadra në kategorinë B15 dhe duke fituar çmimin për veshjen më të mirë “Best Outfit Award 2026”, pasi u paraqitën me kostume kombëtare.