Mesfushori ofensiv, Pjero Skariq është përforcimi më i ri i skuadrës së Llapit.
Ekipi nga Podujeva, të mërkurën e ka prezantuar kroatin 27-vjeçar, i cili ka firmosur kontratë deri në verën e vitit 2028 me Llapin.
“Pas përfundimit me sukses të ekzaminimeve mjekësore, 27-vjeçari i është bashkuar skuadrës dhe tashmë ka nisur përgatitjet me bardhekaltërit për sezonin e ri. Škarić pritet t’i japë një dimension të ri repartit ofensiv të KF Llapit dhe të jetë një armë e rëndësishme për objektivat e klubit në sezonet në vazhdim”, ka shkruar Llapi.
Skariq te Llapi transferohet pas një sezoni fantastik që e pati në kategorinë e dytë të Kroacisë me fanellën e skuadrës NK Hrvace.
Në 34 ndeshje të luajtura, ai realizoi 10 gola dhe pati 5 asistime, duke qenë një nga lojtarët më të spikatur të skuadrës.