Friday, 31. July 2026
Sport

Reali i vendos ultimatum Viniciusit, rinovo kontratën ose largohu

GS 31/07/2026 2 Min. Lesezeit

Pranoje ose jo. Pas muajsh negociatash të ngecura dhe një ngërçi ku asnjëra palë nuk ka lëvizur nga pozicioni i saj, Real Madridi ka vendosur të ndërmarrë një hap konkret.

Në Valdebebas besojnë se ka ardhur koha për t’i dhënë fund pasigurisë rreth së ardhmes së Viniciusit. Zhvillimi më i fundit, me interesimin e Arsenalit për të afruar brazilianin, vetëm sa e ka përforcuar bindjen se situata nuk mund të vazhdojë pafundësisht.

Sipas Marca-s, klubi tashmë i ka njoftuar përfaqësuesit e lojtarit se oferta e fundit është përfundimtare. Nuk do të ketë rritje të mëtejshme apo ndonjë raund tjetër negociatash.

Pozicioni është i qartë: nëse Vinicius pranon, ai do ta rinovojë kontratën. Nëse jo, Real Madridi do ta hapë derën për një shitje këtë verë, për të shmangur situatën ku braziliani hyn në vitin e fundit të kontratës dhe mund të largohet falas më vonë.

Klubi vazhdon ta konsiderojë Viniciusin si një lojtar kyç dhe prioriteti i tij mbetet zgjatja e kontratës së tij. Ata besojnë se performanca e tij ndër vite meriton një shpërblim të konsiderueshëm financiar. Megjithatë, ata kanë edhe një vijë të kuqe të prerë: nuk do ta prishin strukturën e pagave të skuadrës. Real Madridi nuk është i gatshëm të ndryshojë shkallën e pagave për asnjë lojtar, pavarësisht se sa i rëndësishëm mund të jetë ai.

Teilen: