Trajneri i Chelseat, Xabi Alonso, ka vlerësuar transferimin e ri të klubit, Maxence Lacroix, duke thënë se mbrojtësi francez do të sjellë stabilitet dhe mentalitet fituesi në repartin defensiv të “Bluve”.
Lacroix u prezantua të enjten si futbollist i Chelseat, pasi u transferua nga Crystal Palace për një shumë të raportuar prej 52 milionë funtesh. Mbrojtësi 26-vjeçar ka nënshkruar kontratë gjashtëvjeçare me klubin londinez.
“E njoh Maxence që nga koha ime në Bundesligë. Mendoj se zhvillimi dhe përshtatja e tij në Premier League kanë qenë fantastike. Jo vetëm në fushë, por edhe sa i përket personalitetit dhe lidershipit”, ka thënë Alonso.
Sipas trajnerit spanjoll, Lacroix është një futbollist i besueshëm, i cili do të forcojë mbrojtjen e Chelseat.
“Ai i ka këto cilësi dhe është një lojtar shumë i besueshëm që do të na japë fuqi në vijën defensive dhe do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në ekip. Është një transferim i madh për të tashmen dhe të ardhmen”, ka shtuar Alonso.
Lacroix iu bashkua Crystal Palace në vitin 2024 nga Wolfsburgu dhe gjatë periudhës së tij në “Selhurst Park” zhvilloi 98 paraqitje. Me Palace ai fitoi Kupën FA, Ligën e Konferencës së UEFA-s dhe Community Shield.
“Ka personalitet të fortë, është i pjekur. Ai dëshiron të fitojë. Ka mentalitet fituesi dhe i pëlqen të mbrojë, diçka që më pëlqen edhe mua”, ka theksuar Alonso.
Vetë Lacroix u shpreh i lumtur për transferimin te Chelsea, duke thënë se ka të njëjtin vizion me trajnerin e ri të klubit.
“Kur fola me trajnerin, pashë se kemi të njëjtin drejtim dhe të njëjtën dëshirë për këtë klub. Ne duam të fitojmë”, deklaroi mbrojtësi francez.
Lacroix, i cili ka shtatë paraqitje me kombëtaren e Francës dhe ishte pjesë e ekipit në Kupën e fundit të Botës, është një nga përforcimet e Chelseat gjatë afatit kalimtar veror.
“Blutë” kanë realizuar edhe transferime të tjera të rëndësishme, përfshirë afrimin e sulmuesit Morgan Rogers nga Aston Villa për 117 milionë funte dhe mbrojtësit të krahut të djathtë, Marco Palestra, nga Atalanta për 47 milionë funte.