Amerikani Dalan Ancrum është përforcimi më i ri i KB Pejës për sezonin e ri, i cili është transferuar me kërkesën e trajnerit Michalis Kakiouzis.
Ancrum, i gjatë 198 cm, luan në pozitën tre dhe do të jetë pjesë e skuadrës së Pejës, të paktën për garat evropiane, ka njoftuar klubi i Superligës së Kosovës.
“Ancrum, i cili mbulon me sukses pozitën 3, fillimisht do të jetë pjesë e KB Pejës në sfidat e FIBA Europe Cup, ndërsa më pas varësisht nga nevojat e klubit tonë, ai do të mund të vazhdojë të mbrojë ngjyrat verdhezi gjatë gjithë sezonit”, thuhet në njoftim.
Basketbollisti amerikan ka përvojë të madhe në Evropë pasi karrierë ka bërë në Qipro, Itali, Sllovaki e Rumani dhe njihet për gjuajtjet e sakta nga distanca.
KB Peja për sezonin 2026/27, do të tentojë të jetë pjesë e fazës së grupeve të FIBA Europe Cup pasi do të luajë në kuadër të kualifikimeve kundër Dinamo Bukureshtit, më 23 dhe 30 shtator.