Egnatia dhe Dinamo, ashtu si një vit më parë, vazhdojnë të mbajnë lart flamurin shqiptar në kompeticionet europiane. Dy skuadrat që kanë fituar trofetë në futbollin shqiptar sezonet e fundit, sot luajnë aktin e parë të turit të tretë kualifikues. Egnatia në Europa League dhe Dinamo në Conference League.
Për kampionët në fuqi shorti rezervoi irlandezët e Shamrock Rovers si kundërshtar në këtë tur dhe sot luhet ndeshja e parë në Dublin. Trajneri Nevil Dede nuk do të ketë në këtë transfertë delikate sulmuesin Bakajoko të dëmtuar dhe mbrojtësin Xhemajli, që duket se është shitur nga klubi rrogozhinas.
Për Egnatian në fakt nuk ka shumë presion, sepse edhe në rast eliminimi do ta vazhdojë rrugëtimin e saj europian në Conference League. Shamrock është një kundërshtar i kalueshëm dhe objektivi i rrogozhinasve është të vazhdojnë në Europa League.
Edhe Dinamon e pret sot një transfertë delikate. Blutë luajë në Letoni kundër Audas, ekipit që eleminoi Steauan e Bukureshtit në turin e dytë. Trajneri Ilir Daja, me shumë eksperiencë në arenën europiane, do të tentojë një tjetër kualifikim me Dinamon, që ka bërë paraqitje të mira ndaj Astanës dhe Aluminij në dy turet e para. Ai i qëndron besnik të njëjtit formacion.
Ndeshja Auda-Dinamo starton në orën 18:00, kurse Chamrock Rover-Egnatia në orën 21:00.