Blerim Kotobelli ka njoftuar largimin nga Teuta. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, 33-vjeçari ka zyrtarizuar largimin nga klubi durrsak.
“Nga sot nuk jam më pjesë e KF Teuta. Dua të falenderoj presidentin dhe të gjithë tifozët durrsakë”, shkruan shkurtimisht Kotobelli.
Që nga viti 2021, Kotobelli ka luajtur me fanellën e Teutës në kampionatin shqiptar, madje ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit.

Edhe klubi durrsak ka reaguar me anë të një postimi, duke falenderuar Kotobellin për kontributin e dhënë ndër vite.
“Faleminderit, kapiten Blerim Kotobelli!
KF Teuta shpreh mirënjohjen dhe falënderimin më të sinqertë për kapitenin Blerim Kotobelli për përkushtimin, profesionalizmin dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm me fanellën blu.
Me shpirt luftarak, pasion dhe udhëheqje brenda dhe jashtë fushës, Blerimi ka qenë një shembull i vërtetë për klubin dhe për tifozët tanë.
Faleminderit për çdo sakrificë, për çdo emocion dhe për çdo moment të paharrueshëm. Emri yt do të mbetet gjithmonë pjesë e historisë së KF Teutës.
Të urojmë suksese në çdo hap të ri të karrierës dhe jetës!”, shkruhet në njoftimin e Teutës.